Nga prona tek akciza e karboni, ja taksat që mund të rrisë qeveria për më shumë të ardhura
Banka Botërore vlerëson se Shqipëria ka marrë reforma të rëndësishme në sistemin tatimor të cilat kanë dhënë efektin e tyre në rritjen e të ardhurave dhe efkiasitetin e administratës tatimore.

Megjithatë në raportin e saj të fundit lidhur me financat BB gjykon se sërish mbetet nën potencial dhe hapësirat për të përmirësuar këtë janë të shumta duke nisur nga heqja e përjashtimeve tek TVSH-ja tek rritja e disa taksave.
“Reformat e fundit kanë forcuar sistemin tatimor të Shqipërisë, duke rritur aftësinë e tij për të thithur përfitime ekonomike dhe duke përmirësuar efikasitetin e administratës publike. Tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH) ka qenë në mënyrë të vazhdueshme burimi më i madh i të ardhurave tatimore, i ndjekur nga tatimi mbi fitimin (TF), akcizat, tatimi mbi të ardhurat personale (TAP), taksat kombëtare dhe doganat.
Nga viti 2004 deri në vitin 2024, të ardhurat nga TAP janë rritur më shumë se dyfish në krahasim me rritjen nominale të PBB-së. Një dinamikë e ngjashme është vërejtur dhe në të ardhurat nga TF, ndërsa rritja e të ardhurave nga TVSH-ja ka qenë relativisht më e ulët. Këto përfitime reflektojnë masat e politikave të tilla si kalimi në tatimin progresiv në vitin 2014, krijimi i Zyrës së Tatimpaguesve të Mëdhenj dhe përpjekjet për formalizim që nga viti 2015. Në aspektin administrativ, dorëzimi dhe pagesa elektronike e detyrueshme e të gjitha deklaratave kryesore tatimore janë pika të forta të sistemit tatimor.
Megjithatë, mbledhja e të ardhurave mbetet nën potencialin e vet për shkak të nivelit të lartë të informalitetit, përjashtimeve të shumta dhe zbatimit të dobët. Gjatë dekadës së fundit, të ardhurat totale kanë qenë nën mesataren rajonale, ku TAP dhe TF kanë patur produktivitet të ulët çka sugjeron se pjesë të mëdha të bazës tatimore nuk taksohen për shkak të përjashtimeve, boshllëqeve ligjore ose sfidave administrative. Efikasiteti i TVSH-së në vetëm 54 përqind tregon se vetëm pak më shumë se gjysma e të ardhurave të mundshme mblidhen sipas normës standard” thuhet në raport.
Masat që mund të merren
Për të adresuar këto boshllëqe, Shqipëria në fund të vitit 2024 miratoi Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave (SAA) 2024–2027, e cila synon të rrisë në mënyrë të qëndrueshme të ardhurat buxhetore nëpërmjet zgjerimit të bazës së taksueshme, përmirësimit të adminis tratës tatimore dhe doganore si dhe duke luftuar evazionin fiskal nëpërmjet nje qasjeje të koordinuar dhe strategjike. Në përputhje me SAA-në, ky dokument i Rishikimit të Financave Publike (RFP) identifikon katër burime kryesore të të ardhurave të pashfrytëzuara mjaftueshëm.
Tatimi mbi të ardhurat personale nga qiratë afatshkurtra (short-term rentals: STR): Formalizimi i STR-ve mund të gjenerojë të ardhura shtesë që vlerësohen në të paktën 0.14 përqind të PBB-së. Pavarësisht rritjes së shpejtë të turizmit dhe STR-ve, mbledhja e taksave kufizohet nga informaliteti dhe rregullimi i dobët. Formalizimi përmes regjistrimit, lejeve dhe zbatimit të pajtueshmërisë tatimore do të zgjeronte bazën e TAP-it, do të përmirësonte standardet, do të rriste mbikëqyrjen mjedisore, do të siguronte shpërndarje më të barabartë të përfitimeve nga turizmi dhe do të integronte më mirë rritjen e STRve me nevojat e komuniteteve lokale. Ndryshimet e vitit 2024 në Ligjin nr. 93/2015 për Turizmin zgjeruan përkufizimin e akomodimit për të mbështetur këto përpjekje. Duke supozuar rezervim të plotë të të gjitha strukturave akomoduese të listuara në AirDNA, potenciali i të ardhurave nga TAP për vitin 2023 do të ishte 0.14 përqind e PBB-së.
Taksa e pronës: Kalimi në një taksë mbi pronën të bazuar në vlerën e tregut mund të gjenerojë të ardhura nga kjo taksë deri në 0.4 përqind të PBBsë çdo vit dhe të forcojë decentralizimin fiskal. Aktualisht, të ardhurat nga taksa mbi pronën janë vetëm 0.3 përqind të PBB-së. Baza e ngushtë tatimore tkurret akoma më shumë nga përjashtimet e tepërta. Reformat e fundit kanë tentuar të përfitojnë nga rritja e vlerave të pasurive të paluajtshme, por normat e taksave mbeten të ulëta, mbledhja është joefektive dhe kadastra fiskale është e vjetëruar. Një qasje e bazuar në vlerën e tregut është më e drejtë ndaj aftësisë paguese të tatimpaguesve, frenon ndërtimet e tepërta dhe mund të mbështesë përshtatjen klimatike. Simulimet sugjerojnë se një taksë prej 0.10 përqind mbi pronat rezidenciale mund të gjenerojë të ardhura që arrijnë në 0.4 përqind të PBB-së, përfshirë përjashtimet – dhe deri në 1.3 përqind të PBB-së pa përjashtime nga kjo taksë.
Taksa e karbonit mbi qymyrin: Rritja e taksës së karbonit mbi qymyrin do të mundësontë mbështetjen e objektivave klimatike, krijimin e përfitimeve shtesë për shëndetin dhe gjenerimin e të ardhurave që arrijnë në 0.18-0.35 përqind të PBB-së deri në vitin 2030. Taksa aktuale e karbonit nuk reflekton në mënyrë të mjaftueshme ndikimet e jashtme, dhe qeveria ka një kalendar për rritjen e saj deri në vitin 2030. Një rritje graduale e taksës së karbonit mbi qymyrin nga viti 2026 deri në vitin 2030 e ndihmon Shqipërinë të përafrohet me çmimin e sistemit të tregtimit të emetimeve të BE-së (ETS), ndërsa një rritje më e lartë pritet të sjellë të ardhura deri në 0.35 përqind të PBB-së, duke e ndihmuar Shqipërinë të përmbushë objektivat e saj të reduktimit të emetimeve dhe njëkohësisht të përfitojë edhe në aspektin e shëndetit publik. Një pjesë e të ardhurave të gjeneruara mund të përdoret për të kompensuar familjet në nevojë.
Akciza e duhanit: Rritja e akcizës së duhanit në Shqipëri për të përmbushur minimumin e BE-së mund të gjenerojë të ardhura shtesë prej 0.07 përqind të PBB-së çdo vit. Edhe pse Shqipëria ka rritur normat e akcizës çdo vit, prevalenca e pirjes së duhanit mbetet e lartë, duke paraqitur një rrezik të konsiderueshëm për shëndetin publik. RFP përshkruan tre skenarë politikash për rritjen e normës minimale të taksës së akcizës. Në skenarin e parë, Shqipëria rrit gradualisht taksën për të arritur minimumin e BE-së prej 90 eurosh për 1,000 cigare deri në vitin 2030, gjë që do të gjeneronte të ardhura shtesë në rreth 0.02 përqind të PBB-së çdo vit në periudhën 2025-2029.
Megjithatë, ky ritëm është i pamjaftueshëm për të kompensuar rritjen e popullsisë, zgjerimin e të ardhurave dhe inflacionin. Si rezultat, tregu i cigareve parashikohet të rritet dhe normat e pirjes së duhanit mund të rriten. Është e rëndësishme të theksohet se minimumet aktuale të akcizës së duhanit në BE, të vendosura në vitin 2011, janë të vjetruara. Në gusht 2025, Komisioni Evropian njoftoi plane për të rishikuar Direktivën e Produkteve të Duhanit, duke përforcuar nevojën për një strategj më ambicioze tatimore. Përshpejtimi i kalendarit të akcizave të Shqipërisë për të arritur minimumin aktual të BE-së deri në vitin 2027 do të gjeneronte të ardhura shtesë prej 0.07 përqind të PBB-së çdo vit midis viteve 2025-2029. Kjo qasje me ritëm të përshpejtuar do të ndihmonte gjithashtu në parandalimin e deri në 13,000 vdekjeve të parakohshme, do të reduktonte shpenzimet personale të qytetarëve për kujdes shëndetësor dhe do të sillte përfitime akoma më të mëdha për grupet vulnerabël.
Të hiqen përjashtimet
Përmirësimi i performancës së të ardhurave të Shqipërisë do të kërkojë gjithashtu rishikimin e përjashtimeve tatimore dhe forcimin e kapacitetive administrative. Shqipëria duhet të ndërmarrë një rishikim gjithëpërfshirës të përjashtimeve të saj tatimore, veçanërisht në fushën e TVSHsë, për të rikuperuar një pjesë të të ardhurave të humbura, duke siguruar njëkohësisht mbështetje të vazhdueshme për grupet vulnerabël. Njëkohësisht, thelbësore është dhe forcimi i administratës tatimore përmes thjeshtimit, dixhitalizimit dhe përmirësimit të mekanizmave të përputhshmërisë tatimore. Këto reforma jo vetëm që do të zgjerojnë bazën e të ardhurave, por gjithashtu do të zvogëlojnë informalitetin dhe do të përafrojnë praktikat fiskale të Shqipërisë me standardet ndërkombëtare. Këto reforma janë kritike për zgjerimin e bazës së të ardhurave të Shqipërisë dhe përmbushjen e objektivave të saj afatgjata të zhvillimit. /Monitor
Më të lexuarat






